Kush jemi

PREZANTIM I MUZEUT

Muzeu Dioqezan lindi nga nevoja për të mbledhur, ruajtur dhe bërë të njohur trashëgiminë historike të lidhjes së fesë katolike me kulturën e popullit shqiptar, duke iu referuar në mënyrë të veçantë popullsisë katolike të zonës territoriale që bën pjesë në Arqidioqezën Shkodër-Pult.

Veriu i Shqipërisë, ku historikisht tradita katolike është më e fortë se në pjesët e tjera të vendit, ka qenë dhe mbetet dëshmitar i ruajtjes së një feje që i ka rrënjët në krishterimin e epokës apostolike. Një fe që është kundërshtuar shpesh, në përpjekje për ta shuar zjarrin e saj, një zjarr që ka shpërthyer sërish nga hiri nën të cilin ishte detyruar të qëndronte.

«Të kujtosh nuk do të thotë vetëm të mos harrosh, por edhe të kesh përsëri vetëdijen e identitetit që përcakton të tashmen, duke na lejuar të hedhim bazat për të ardhmen.»

Në këtë kuptim, Muzeu Dioqezan nuk është vetëm një veprim për të mbrojtur dhe vlerësuar dëshmitë materiale dhe jo materiale që i përkasin historisë sonë, por edhe një veprim kulturor që synon ta bëjë vizitorin të takohet me një realitet pasojat e të cilit janë ende të dukshme në të tashmen. Qëllimi, vlera dhe rëndësia e muzeut shkojnë përtej njohjes së thjeshtë, drejt një përvoje më të thellë të dijes, ku takohen dashuria për jetën, shija e së mirës dhe së bukurës, si dhe hovi shpirtëror.

Duke u nisur nga kjo vetëdije, intuita fillestare që kishte nxitur mbledhjen e sendeve të gjetura, me synim ruajtjen dhe ekspozimin e tyre, i hapi rrugë një reflektimi më të thelluar, që e ka vënë grupin e projektit në kushtet për të mos qenë të mos qenë më vetëm një “guidë” në përgatitjen e ekspozimit. Ata vendosën të vetëudhëhiqeshin nga sendet e gjetura, të cilat vetë tregojnë histori të shumta dhe paraqiten me një qartësi dhe rregull të mahnitshëm.

Itinerari muzeal, i përbërë nga një koleksion dokumentesh fragmentare dhe të plota, vepra arti, relike kishtare, objekte të përdorimit dhe devocionit personal fetar, si dhe nga dëshmi të shumta personale, ka bërë që ky muze të jetë një vend që tërheq vëmendjen e kujtdo që e viziton.

Itinerari i muzeut është një ecuri tregimtare e ndërtuar sipas seksioneve tematike, e shoqëruar nga një vijë kohore dhe e organizuar në dy bërthama kryesore: “VENDE DHE SHENJA NË KOHË” (kati përdhes) dhe “ZËRA, FYTYRA, DËSHMI NË KOHË” (kati i parë).

Domethënëse është edhe vendndodhja e Muzeut Dioqezan, e cila lidhet ngushtë me Kishën Katedrale, në anën jugore dhe në hapësirën poshtë këmbanares madhështore. Katedralja që lidhet me muzeun nuk është vetëm pjesë përbërëse e vijimit të hapësirës muzeale, por edhe një objekt shumë i rëndësishëm historik, që plotëson në mënyrë të shkëlqyer tërësinë e objekteve të ekspozuara. Muzeu dhe hapësirat e Katedrales përbëjnë së bashku një projekt të integruar mes dy realiteteve që plotësojnë njëri-tjetrin.

Muzeu Dioqezan është realizuar mbi baza dhe kritere shkencore, me qëllim që vizitorët të përfitojnë sa më shumë prej tij. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe mënyrat e larmishme të ekspozimit të objekteve, të cilat synojnë të shpjegojnë historinë në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme për vizitorin

PËRGJEGJËSIA

Projekti i Muzeut lindi me nismën e ish-Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Angelo Massafra OFM.

Ekipi realizues përbëhej nga peizazhistja Ester Yembi Pagnoni, koordinatore dhe zbatuese e projektit të brendshëm; dr. Francesca Radaelli, kuratore e itinerarit të muzeut; arkitektja Anna Camisasca, përgjegjëse për projektimin e hapësirave të muzeut; Erica Koumbang O’Mbai Pagnoni, përgjegjëse për projektimin e ekspozimit dhe për grafikën e koordinuar të muzeut.

Arkitektja Irma Temali, nga Shkodra, realizoi projektimin e hapësirave të brendshme të Sallës Multimediale.

Tekstet e didaskalive shpjeguese janë hartuar kryesisht nga Atë Luigi Aluisi OFM.

Në vitin 2026 me kërkesë të famullitarit Dom Vlash Palaj, Arqipeshkvi, Imzot Giovanni Peragine, ia kaloi administrimin e muzeut Famullisë “Zoja e Shkodrës”.

VENDOSJA

Muzeu Dioqezan Shkodër–Pult është i vendosur në hapësirat e Katedrales së Shën Shtjefnit. Një pjesë e ambienteve të muzeut ndodhet poshtë kambanores së katedrales, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë midis hapësirës liturgjike dhe asaj muzeale.

Katedralja dhe muzeu përbëjnë një entitet të ndërthurur, ku bashkohen realiteti fetar dhe ai kulturor. Në këtë mënyrë, hapësira e muzeut pasuron interesin e vizitorëve përmes dokumenteve dhe dëshmive të trashëgimisë historike e shpirtërore të dioqezës. Vizitorët, përmes muzeut, kanë mundësinë të njohin më nga afër traditën dhe kulturën e krishterë të Dioqezës së Shkodër–Pult.

MISIONI I MUZEUT

Misioni i muzeut bazohet në standardet botërore të muzeve, të shprehura edhe në deklaratën e International Council of Museums (ICOM) të vitit 2004, në të cilën përcaktohet:

“Muzeu është një institucion i përhershëm, jofitimprurës, që ka për qëllim t’i shërbejë shoqërisë dhe zhvillimit të saj. Ai është i hapur për publikun dhe zhvillon kërkime që lidhen me dëshmitë materiale dhe jomateriale të historisë së njerëzimit dhe të mjedisit të tij. Këto dëshmi ruhen, ekspozohen dhe studiohen në shërbim të informimit, edukimit dhe ndërgjegjësimit të publikut”.

Objektivat kryesore të këtij institucioni muzeal janë:

▪ Të ruajë objekte që i përkasin enteve kishtare dhe që paraqesin interes fetar, historik dhe artistik, të cilat nuk mund të ruhen në vendin e tyre të origjinës për arsye të ndryshme.

▪ Të përpunojë, të ruajë, të mbrojë, të dokumentojë dhe të promovojë vlerat e trashëgimisë kulturore të Kishës, tashmë pjesë e fondit muzeal, duke dëshmuar praninë dhe vazhdimësinë e krishterimit në treva të ndryshme të Arqidioqezës Shkodër–Pult.

KARTA E SHËRBIMEVE

Barazia

Shërbimet tona mbështeten në parimin e barazisë. Kjo nënkupton se të gjithë do të trajtohen njësoj, pa dallim kombësie, gjinie, gjuhe, besimi dhe bindjesh politike. Muzeu nuk do të pushojë asnjëherë së ndryshuari për t`u përshtatur sa më mirë me nevojat e grupeve të ndryshme që mund të hasin vështirësi në përdorimin e shërbimeve të tij. Grupe të tilla mund të jenë: shtetasit e huaj, personat me aftësi të kufizuara si dhe personat që u përkasin kategorive shoqërore me probleme nga këndvështrimi social dhe kulturor.

Vazhdimësia

Muzeu garanton vazhdimësi dhe rregull gjatë shërbimit. Në rast të ndonjë problemi të mundshëm, muzeu merr përsipër të paralajmërojë vizitorët me qëllim shmangien dhe minimizimin e çdo pengese apo vështirësie.

Përfshirja

Muzeu i jep rëndësi dhe nxit përfshirjen e vizitorëve në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit. Vërejtjet, këshillat, kërkesat dhe sugjerimet e tyre do të merren parasysh nga stafi drejtues i muzeut.

Mirësjellja dhe komunikimi

Stafi i muzeut do të ndjekë rregullat e mirësjelljes dhe do të tregohet sa më bashkëpunues me vizitorët duke thjeshtuar sa më shumë që të jetë e mundur procedurat burokratike. Punonjësit e muzeut janë ngarkuar të ofrojnë shërbimin sa më qartë, me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme nga të gjithë. Në komunikimin me vizitorët, qoftë edhe përmes telefonit apo letër-këmbimit, punonjësit janë udhëzuar të vetëidentifikohen me emër.

Siguria dhe ruajtja e privatësisë

Muzeu garanton repektimin e të gjitha normave të sigurisë dhe ruajtjen e privatësisë në ofrimin e shërbimeve në përputhje me ligjin. Të gjitha mjediset janë pajisur me sinjalistikën përkatëse që tregon rrugët e shpëtimit në rast rreziku. Të dhënat personale të vizitorëve do të përdoren vetëm për qëllime të karakterit institucional. Ata nuk do të vihen në dispozicion të personalit të paautorizuar dhe as palëve të treta.

Efiçenca dhe Efikasiteti

Drejtori dhe personeli i muzeut kanë si objektiv përmirësimin e vazhdueshëm të efiçencës dhe efikasitetit të shërbimeve duke përshtatur teknologjinë, organizimin dhe procedurat në funksion të përmbushjes sa më të kënaqshme të këtij qëllimi. Kur themi efiçencë, kemi parasysh pajisjen e mjediseve tona për të ofruar cilësinë më të lartë të shërbimit në përputhje me burimet që kemi në dispozicion dhe me programin e punës. Synojmë lehtësimin e procedurave burokratike dhe uljen e kostos. Me efikasitet kemi pararysh pajisjen e mjediseve tona sipas standardeve më të larta cilësore dhe sasiore duke pasur parasysh përmbushjen e nevojave dhe dëshirave të vizitorëve.

Të drejtat dhe detyrat e vizitorëve

Çdo shtetas mund të vizitojë muzeun dhe të marrë shërbimet që ai ofron për sa kohë që respekton rregulloren. Vizitorët kanë të drejtën për të marrë informacion sa më të qartë dhe të saktë në lidhje me shërbimet që muzeu ofron dhe mënyrën e tyre të përdorimit. Po ashtu, ata kanë të drejtën të komunikojnë me muzeun nëpërmjet të gjitha mjeteve të parashikuara për këtë qëllim. Hyrja në muze ka një tarifë të arsyeshme. Për të të siguruar mbarëvajtjen e vizitave të organizuara nën drejtimin e një guide, është e nevojshme që vizitorët të bëjnë një prenotim paraprak. Po ashtu, prenotimi është i detyrueshëm për seminare të ndryshme apo veprimtari didaktike. Prenotimet mund të bëhen përmes telefonit gjatë orarit të punës së muzeut.

Ndërkohë që muzeu angazhohet maksimalisht për të përmbushur standardet e parashikuara të cilësisë, u kërkon vizitorëve të kontribuojnë në mbarëvajtjen e punës së strukturave tona duke zbatuar disa norma të thjeshta të sjelljes:

  • Të mos tymosin në mjediset e muzeut.
  • Të mos prekin veprat e ekspozuara.
  • Të mos përdorin aparatë fotografikë me blic.
  • Të ndjekin udhëzimet e personelit të muzeut

Nëse vizitorët konstatojnë mungesën e respektimit të ndonjë prej rregullave të cituara në Kartën e Shërbimit, u lind e drejta të paraqesin ankesat e tyre duke plotësuar formularin bashkangjitur dhe t`a dorëzojnë te personeli përgjegjës ose t`a dërgojnë me e-mail në adresën muzeudioqezansp@gmail.com. Muzeu shqyrton ankesat në mënyrë periodike dhe merr përsipër t`u kthejë përgjigje brenda 30 ditëve. Vizitorët mund të paraqesin edhe propozimet apo sugjerimet e tyre për përmirësimin e shërbimeve. Propozimet do të merren parasysh dhe do të analizohen me kujdes.

Shërbimet kryesore të ofruara nga muzeu:

  • Pritja, informacioni dhe shërbimi bookshop. Personeli përgjegjës për pritjen u jep vizitorëve gjithë informacionin e nevojshëm për t`u njohur dhe për të përdorur sa më mirë shërbimet e ofruara nga muzeu. Në hyrje, vizitorët mund të pajisen me: fletëpalosje, kartolina, guida të shkurtra dhe materiale të tjera të këtij lloji. Në sallë gjënden panele, skeda didaktike, pika informacioni multimedia etj.
  • Mbikqyrja e vizitave. Një pjesë e personelit të muzeut janë caktuar për të mbikqyrur mbarëvajtjen e vizitave dhe për t`u dhënë ndihmë vizitorëve.
  • Aksesi për të parë veprat e paekspozuara. Aktualisht, vizitorët e jashtëm nuk kanë akses për të parë veprat e paekspozuara. Megjithatë, ekziston mundësia që nëpërmjet një takimi, të paraqitet një kërkesë që për arsye studimi, të shihen veprat në mjediset e muzeumit. Kërkesa duhet t`i paraqitet me shkrim drejtorit i cili rezervon të drejtën për t`a refuzuar në rast se përmasat e veprave apo gjendja e tyre fizike nuk e lejon një gjë të tillë.
  • Marrje e imazheve të veprave që ruhen në muze. Mund të paraqitet një kërkesë për të marrë imazhin e veprave të ekspozuara në muze. Në varësi të qëllimit të përdorimit, kërkuesi duhet të depozitojë shumën përkatëse për të drejtën e riprodhimit.
  • Konsultim me bazën e të dhënave të inventarit dioqezan. Është mundësia e konsultimit për arsye studimore me inventarin etj., për tu konsultuar me inventarin dhe me katalogjet që dokumentojnë veprat e inventarit dioqezan, si dhe me bazën e të dhënave digjitale të muzeut. Kërkesa i paraqitet drejtorit të muzeut dhe konsultimi do të zhvillohet në prani të përgjegjësit të muzeut.
  • Hulumtim në lidhje me veprat dhe komunikim i rezultateve. Muzeu bën kërkime të vazhdueshme në lidhje me veprat që ka në ruajtje, duke theksuar lidhjen me vendin e tyre të origjinës. Rezultatet e kërkimeve do t`i bëhen të njohura publikut përmes ekspozimit dhe botimeve të ndryshme.
  • Ekspozite të përkohshme, aktivitete kulturore. Në bazë të programit dhe të mundësive financiare, muzeu organizon për çdo vit ekspozita të përkohshme dhe nisma që i shërbejnë promovimit të trashëgimisë kulturore.
  • Veprimtari edukative për shkollat. Muzeu projekton dhe promovon aktivitete të ndryshme të përshtatura për nivelin e shkollave për tema të ndryshme të përcaktuara që më parë, që mund të gjinden edhe në internet. Aktivitete mund të zhvillohet në mjediset e muzeumit dhe jashtë tij. Nga këto projekte mund të përfitojnë nxënësit dhe mësuesit e shkollave pa dallim.
  • Trajnime për mësuesit. Muzeu organizon në mënyrë të pavarur apo me kërkesën e vetë institucioneve, kurse trajnimi për mësues të të gjithë niveleve dhe fushave.
  • Trajnime të vazhdueshme për të rritur. Muzeu organizon kurse, vizita në drejtimin e guidës, seminare dhe takime në bashkëpunim me subjekte trajnimi në funksion të formimit të përgjithshëm të qytetarëve.
  • Konsulencë. Muzeu është i gatshëm t`i ofrojë konsulencë studentëve, studiuesve, mësuesve, por edhe famullive që duan të ndërmarrin projekte vlerësimi për të mirat e tyre.
  • Komunikim dhe promovim. Mjeti kryesor i komunikimit i muzeut është faqja e internetit; https://muzeudioqezansp.com. Muzeu merr përsipër përditësimin e vazhdueshëm të faqes.
  • Lëshimi i hapësirave për aktivitete të ndryshme jashtë orarit. Pas marrjes së autorizimit nga ana e drejtorit të muzueut, salla mund të përdoret për aktivitete të ndryshme kuolturore edhe jashtë orarit të punës.

ANKESA DHE SUGJERIME

I nderuar vizitor,

Nëse gjatë vizitës në muzeun tonë keni vënë re ndonjë problem të çfarëdo lloji në shërbimet e ofruara, ju lutemi të na vini në dijeni duke plotësuar këtë formular. Do t`ju ishim mirënjohës sikur të na jepnit ndonjë mendim për përmirësimin e shërbimit. Vërejtjet tuaja do të shqyrtohen me kujdes dhe do të marrin përgjigje.

Formulari mund t`i dorëzohet punonjësit të recepsionit ose të dërgohet në adresën: muzeudioqezansp@gmail.com.

ANKESA PARAQITET NGA:

MBIEMRI_________________________  EMRI_____________________________

LINDUR NË___________________            ME BANIM NE______________________

RRUGA______________________ KODI POSTAR__________________________

TEL_______________________  email______________________

OBJEKTI I ANKESES_______________________________________________________________________________________________

MOTIVI I ANKESËS________________________________________________________________________________________________

KËRKESA PËR PËRMIRËSIMIN E SHËRBIMEVE

____________________________________________________________________________________________________________________

Ju bëjmë me dije se të dhënat personale do të përdoren vetëm për t`i dhënë përgjigje ankesës suaj dhe për informacione që kanë të bëjnë me aktivitetet kulturore të organizuara nga muzeu.

Data___________                                                                                                      Nënshkrimi_________

Këtu gjeni dokumentin mbi ankesën/sugjerimin: Shkarko këtu

Muzeu Dioqezan Shkodër-Pult © Të gjitha të drejtat e rezervuara